Haki Abazi paditet për shpifje nga Xhavit Haliti, i kërkohen 200 mijë euro

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka paditur për shpifje deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, nga i cili ka kërkuar 200 mijë euro.

Po ashtu, Haliti ka propozuar masë sigurie kundër Abazit.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën e 30 marsit është mbajtur seanca, në të cilën avokati i Halitit, Gent Spahija, ka thënë se propozimi për caktimin e masës së sigurisë është i nevojshëm pasi, sipas tij, Abazi do të vazhdojë të bëjë shpifje ndaj Halitit.

Abazi e ka konsideruar si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë.

Kjo pasi, sipas tij, pretendimet e ngritura dhe deklarimet e bëra referohen në burimet mediale ndërkombëtare dhe në raportin e KFOR-it.

Ndryshe, Xhavit Haliti e kishte paditur Abazin më shtatë qershor të vitit 2021 për shpifje, dhe kishte propozuar lëshimin e masës së sigurisë.

Sipas padisë, më 27 maj të vitit 2021, i padituri Abazi kishte deklaruar se “Xhavit Haliti duhet të japë llogari për vrasjet e luftës dhe pasluftës në Kosovë”.

“Xhavit Haliti është njeri që e ka përcjellë luftën nga Rogneri, ka probleme që janë të ditura për keqpërdorimet e fondit ‘Vendlindja thërret’. Dihet roli i tij në proceset e eliminimit fizik të kundërshtarëve të tij politikë gjatë luftës dhe pasluftës në Kosovë. Janë raportet e KFOR-it. Le të del Xhavit Haliti të thotë për keqpërdorimin e një euroje të vetme. Po flas me raportin KFOR”.

Sipas tij, Haliti ka të drejtë të flasë vetëm për çështjen që ka të bëjë më furnizimin me armë.

Në anën tjetër, Haliti ka kërkuar nga i padituri që të bëjë kërkimfalje për shpifje ndaj tij.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika