Ramadan Krasniqi deri të premten e 7 nëntorit ishte drejtor i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë e Vogël në Rahovec.
Krasniqit detyrën prej drejtori ia ndërpreu një vit më herët një vendim i Drejtorisë Komunale të Arsimit që nuk e la të qonte mandatin deri në fund.
Krasniqi për Dukagjinin u shpreh se këtë të premte nga DKA-ja iu kumtua shkarkimi pasi që sipas tyre Inspektorati në mënyrë anonime ka marrë ankesë se zgjedhja e tij si drejtor shkolle qysh para tri vitesh nuk ka qenë ligjërisht e drejtë.


Vetë Krasniqi mohon kategorikisht se ka pasur shkelje në zgjedhjen e tij për çka thotë se është i mbi kualifikuar.
“Sot më ka thirre drejtori i DKA-së dhe më ka lajmëruar për shkarkimin. Unë ka tri vjet që jam drejtor shkolle – të dielën i bëjë 3 vite me mandat 4 vjeçar, për shkarkimin tim ka pasur një ankesë nga Inspektorati me sa kam njohuri pasi sipas tyre zgjedhja ime si drejtor shkolle nuk ka qenë ligjërisht e drejt – gjoja ka pasur shkelje ligjore dhe ka pasur një ankesë në Inspektorat. Kur e kam parë konkursin të gjitha krikteret që janë kërku i kam plotësuar pasi kam qenë mësimdhënës prej 7 vitesh e që kërkohej 4 – zgjedhja ime është bërë në bazë të udhëzimit administrativ në fuqi nga MASHTI – më 2024 e ka nxjerr një rregullore të re MASHTI e pastaj në ankesë thuhet se gjoja unë si drejtor nuk jam i profilit arsimor dhe është kërku shkarkimi – gjë që është absurde sipas meje sepse jam zgjedh në kohën e një tjetër udhëzimi administrativ”, deklaroi Krasniqi për Dukagjinin.
Megjithatë, Krasniqi dyshon se shkarkimi i tij u bë si hakmarrje politike nga kryetari aktual i Rahovecit, Smajl Latifi, vetëm dy ditë para balotazhit të së dielës më 9 nëntor.
Tutje, ish-drejtori bën të ditur se Latifi në vazhdimësi i ka dërguar njerëz që të marrë pjesë në zgjedhore dhe ta mbështesë në fushatë për çka thotë se asnjëherë nuk ka pranuar pasi ky aktivitet bie ndesh me punën e tij prej drejtori në shkollë.
“Puna ime ka qenë transparente dhe nuk ka pasur kurrë ankesë gjatë punës time.. jemi shkollë model në Rahovec. Smajl Latifi nëpërmjet njerëz ve ka kërku nëpërmjet njerëzve që ta mbështesës në fushatë kanë kërku me organizu tubime të veteranëve në kuadër të veteranëve të luftë – gjë që skam pranuar meqë nuk më lejohet ndërsa të drejtën për të qenë anëtarë nuk ma ndalon kërkush – në mënyrë indirekte ka dërgu në vazhdimësi që të inkuadrohem. DKA-ja ma ka informu që janë duke u anku inspektorati pasi janë thirrë në shkeljen në bazë të udhëzimit administrativ. Më duket se po më bëhet padrejtësi… vendimin e kam marrë. Mua më duket hakmarrje politike pasi ky kryetar shantazhon dhe kjo ka bërë që me një vendim të Inspektoratit më ka shkarku.. kam 30 ditë kohë për ankesë, do të ngrehë edhe padi”, u shpreh Krasniqi.
Por, të gjitha akuzat e Krasniqit i ka mohuar ushtruesit i detyrës së drejtorit në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Rahovec, Afrim Limani.
Limani, për Dukagjinin, u shpreh se kanë shterur të gjitha mundësitë që Krasniqi të mos shkarkohej, për çka deklaroi se kanë ushtuar ankesë kundër këtij vendimi – por që e njëjta nuk është marrë parasysh.
“Aktualisht jam ushtrues detyre në këtë pozitë që e kam marrë nga korriku – lënda e Ramadan Krasniqit ka qenë aty , pasi dikush është ankuar në Inspektoratin e Arsimit se është pranuar si drejtor pa i plotësuar kriteret e kërkuara me – Inspektorati e ka shqyrtuar ankesën dhe e ka sjell vendimin se është i punësuar jashtë kritereve dhe se duhet me shkarku. E kemi bërë një ankesë tjetër kundër këtij vendimit nga Inspektorati ku kërkohej shkarkimi i Ramadan Krasniqit, e njëjta kërkesë është refuzuar dhe lajmërimi ka ardhur pas një muaji – tash realisht i kemi shtjerrë të gjitha mundësitë që të ankohemi dhe jemi detyru me nxjerr një vendim për shkarkimin e tij”, u shpreh Limani.
Limani, mes tjerash, u shpreh se në rast se nuk do të zbatohej ky vendim do të kishte pasoja juridike teksa u shpreh ka qenë vendim i dhimbshëm shkarkimi i Krasniqit për ta.
“Përndryshe nëse nuk zbatohej vendimi për shkarkimin do të kishte pasoja juridike e për këtë jemi detyru me nxjerr vendimin. Sipas Inspektoratit po del që është pranuar jashtë kritereve që nga fillimi. Unë këtë proces e kam zënë në gjysmë..”, u shpreh Limani.
Tutje, Limani mohoi në mënyrë kategorike pretendimet e Krasniqit se shkarkimi i tij u bë për ‘hakmarrje politike’.
“Absolutisht nuk ka asnjë shkak politik, vetë kryetari e ka përcjellë atë kohë dhe ne jemi detyru me shkarku sipas rekomandimit të Inspektorëve të Arsimit. Na vjen shumë keq dhe kemi qenë të detyruar”, tha Limani.
Tutje Limani për Dukagjinin ka thënë se në fillimjavë do i përcjell të gjitha ankesat dhe vendimet mes palëve.