Nikki Haley ka mundur Donald Trumpin në zgjedhjet paraprake republikane në Uashington DC, kështu duke shënuar fitoren e parë në fushatën për marrjen e nominimit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Haley humbi në Karolinën e Jugut, shtetin e saj të lindjes, por ajo tha se është e bindur se votuesit në shtetet ku do të mbahen garat e tjera meritojnë një alternativë ndaj Trump-it, pavarësisht se ky i fundit deri më tani ka dominuar fushatën.

Haley, një ish-ambasadore e SHBA-së në OKB, fitoi 62.9% të votave, ndërsa Trump 33.2%.

Por, Haley është gruaja e parë që fiton në zgjedhjet paraprake republikane në historinë e SHBA-së.

Trump megjithatë ka një epërsi të madhe ndaj Haley-t dhe ngjan se do të përballet me Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Haley ka fituar të 19 delegatët në këtë garë.

“Nuk është befasi që republikanët që janë më afër Uashingtoni jofunksional po refuzojnë Donald Trump-in dhe kaosin e tij”, tha zëdhënësja e Haleyt, Olivia Perez-Cubas përmes një deklarate, duke theksuar që Haley është bërë gruaja e parë në histori që ka fituar një garë paraprake në Partinë Republikane.

Uashingtoni është një prej juridiksioneve më të mëdha në vend të demokratëve dhe në qytet ka vetëm afër 23.000 republikanë të regjistruar. Joe Biden kishte fituar këtë qark në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 me 92 për qind të votave.

Fushata e Trump-it pas fitores së Haley-t lëshoi një deklaratë sarkastike, duke e uruar atë dhe duke e cilësuar si “Mbretëresha e moçalit nga lobistët dhe personat që punojnë në institucionet në Uashington të cilët duan të mbrojnë status quo-n e dështuar”.