Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se çdo përpjekje e tyre për të mos i respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e fut Kosovën në krizë politike.

Sipas zëdhënëse së LDK-së,  fryma popullsite dhe propaganda nuk mund të zënë vend në historinë e demokracisë kosovare të krijuar me shumë mund nga qytetarët e kësaj Republike.

“Çdo përpjekje nga partia në pushtet për të mos i respektuar vendimet e kësaj gjykate, e çon vendin në krizë politike e institucionale dhe paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”, ka shkruar ajo.

“Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kundrejt përpjekjes së kësaj Qeverie për të krijuar një realitet qeverisës antikushtues, është shpërfaqje reale e ndërtimit të demokracisë në vend dhe funksionimit të sistemit me rezon shtetëror”, ka shtuara Halimi.

Ajo ka përfunduar duke thënë se pushteti jo vetëm që është duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës, por edhe po kundërshton atë në publik.

“Përgjatë një periudhe aq të shkurtër të mandatit të këtij pushteti, kemi jo vetëm shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Republikës, por edhe diskurs publik antikushtetues”, ka përfunduar Halimi.