Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit, drejtoresha për Kulturë në Prishtinë, Sibel Halimi ka ndarë një kujtim nga takimi i saj me të në vitin 2010, gjatë një interviste për një studim mbi filantropinë në Kosovë.

“Fjalët e tij ishin të matura, të qarta dhe të mbushura me kujtime që bartnin peshën e një kohe të vështirë, por edhe krenare”, ka shkruar Halimi, duke shtuar se ajo bisedë katërorëshe i është ngulitur në kujtesë si një portret i urtësisë dhe qetësisë.

“Ishte viti 2010, kur për herë të parë pata rastin ta takoj z. Bujar Bukoshin. Si hulumtuese e studimit “Filantropia në Kosovë”, e intervistova për rezistencën paqësore dhe mënyrat se si shoqëria jonë kishte mbijetuar përmes solidaritetit, në vitet më të errëta të historisë sonë të afërt.

Biseduam gjatë, plot katër orë që kaluan si në çast. Fjalët e tij ishin të matura, të qarta dhe të mbushura me kujtime që bartnin peshën e një kohe të vështirë, por edhe krenare.

Ishte i detajuar dhe konciz, sikur çdo fjalë kishte një vend të caktuar në mozaikun e rrëfimit të tij.

Ai takim më mbeti si një fotografi në kujtesë, një portret i qetësisë dhe i urtësisë.

Sot, kur mësova se z. Bukoshi ka ndërruar jetë, ajo kujtesë u kthye fuqishëm, bashkë me tingullin e zërit të tij, me ndjesinë e asaj bisede që tashmë duket edhe më e çmuar”, ka shkruar Halimi në Facebook.