Halimi për aplikimin e Kosovës në BE: Qeveria të fokusohet te gjërat që kanë ndikim në jetën e qytetarëve, e jo te formalitetet
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE nga tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glaku Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti. Halimi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në gjëra që janë të prekshme dhe që ndikojnë […]





Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE nga tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glaku Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.
Halimi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në gjëra që janë të prekshme dhe që ndikojnë në jetën e përditshme te qytetarët, pasi sipas saj qeveria po bën gjëra të cilat janë vetëm formalitete pa efekt.
“Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit, qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike”, ka thekuar zëdhënësja e LDK-së.
“Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme, ka shtuar ajo.
Më tej, Halimi i ka komentuar ndihmat e Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre – fonde mbështetëse për energjetikë – dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës” ka thënë ajo.
“Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi”, ka përfunduar Halimi.




















