Kandidati i PDK-së për deputet, Xhavit Haliti, ka deklaruar se interesimi i qytetarëve për zgjedhjet e së dielës është më i madh se në çdo proces të mëparshëm zgjedhor.

Sipas tij, kjo vërehet si brenda vendit, ashtu edhe nga pjesëmarrja e diasporës.

“Për dallim nga fushatat e tjera, të gjitha sallat ose të gjitha ambientet që po pretendojnë partitë po mbushen, tani nuk kisha me thanë kështu, mund të ketë bartje të atyre simpatizantëve por vërtetë njerëzit në Kosovë janë të interesuar për këto zgjedhje më shumë se çdo herë. Unë pres pjesëmarrje më shumë në këto zgjedhje. Pak më herët mora informacion së aeroplanët që kanë ardhur nga jashtë nuk ka vend me hyp në të. Organizmi edhe nga diaspora është i madh. Tani kush i ka organizuar dhe për kë do të votojnë  është çështje e tyre. Por, përderisa udhëtohet me aeroplan për të votuar do të them se ka interes të madh. Tani lind pyetja a paguajnë bileta, kush po ua paguan biletat, gjithë këto shpenzime. Nëse janë individuale mendoj se më lehtë do ta kishte të votonte prej atje”, ka deklaruar Haliti në Debat Plus.

Ai ka shtuar se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, PDK po përballet me një mbështetje më të madhe.

“Po, ndryshimi është shumë i madh për PDK-në, të tjerët nuk e di kanë vlerësime të veta. Nëse katër vjet më herët ka pasur rezerva më të mëdha për kandidatët e PDK-së, tani po priten shumë mirë në tubime ka interesim të madh me bisedu me njerëz”, ka deklaruar ai.