Kandidati i PDK-së për deputet, Xhavit Haliti, ka folur lidhur me akuzat e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila gjatë një tubimi elektoral në Pejë e ka përmendur atë.

Gjatë tubimit në Pejë, Gërvalla kishte deklaruar: “E njihni atë pejanin që thoshte se Policia e Kosovës po sillet si Millosheviqi me ne. E njihni edhe tjetrin që thoshte se sulmi në Ibër Lepenc nuk është sulm terrorist. Mbajini mend të kutia e votimit”.

Haliti ka deklaruar se Gërvalla po gënjen dhe se për sulmin terrorist në Banjskë ka më shumë njohuri se ajo.

“Kjo sulmoi edhe Gazmend Muhaxherin edhe mua, së pari kjo [Donika Gërvalla] po gënjen. Sulmi ne Bansjkë në debat mundet me marrë si të kesh qejf, por unë kam zhvilluar një debat edhe për Banjskën, unë di më shumë se kjo dhe i dijë detajet saktë edhe asaj se çfarë ka ndodhur”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se akuzat politike pa prova ligjore mund të dëmtojnë edhe proceset ndërkombëtare të drejtësisë.

“Unë kam një hall tjetër, se ne po mendojmë se mundemi ta urdhërojmë Serbinë me e sjellë Radojçiqin në Kosovë me ekstradu, unë e dijë që ka edhe shumë Radojçiqa që s’e kanë mbiemrin me “viq” në fund që ligji duhet me vepru edhe kundër tyre. Por të akuzuarit nga politikanët pa i akuzuar drejtësia nuk praktikohet në Evropë në të drejtën ndërkombëtare, nuk thuhet ashtu. Nëse këto deklarata duke i quajtur terroristë njëri, terrorist tjetri, iu ka mundësuar atyre me ik me lyp azil politike edhr mos me i kthyer sepse janë të rrezikuar prej deklaratave të politikanëve. Ne duhet me ia lënën drejtësisë, me përdor diplomacinë evroamerikane”, ka deklaruar Haliti.