Në dhjetor të vitit 2024, hallkat elektronike që u vendosën të dyshuarve për vepra penale, hynë në funksion.
Por, pak detaje për këtë sistem u dhanë nga ajo kohë deri tash. Së fundmi në disa raste, në raportin e Policisë së Kosovës, ka raste ku të dyshuarit kanë dëmtuar qëllimisht dhe humbur byzylykun elektronik që vendoset me urdhër të Gjykatës.
Në këto raste, të njëjtit më pas janë dërguar në mbajtje.
“ASGJËSIM APO DËMTIM I PRONËS – Prishtinë / 25.06.2026 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që qëllimisht kishte dëmtuar dhe humbur byzylykun elektronik të vendosur me urdhër të Gjykatës.. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Në një rast tjetër që u raportua javë më parë, i dyshuari kishte urdhër mbrojtës për çka edhe i ishte vendosur byzylyku elektronik dhe gjurmuesi GPS, por që i njëjti i kishte larguar ato.
“Prishtinë/18.06.2026 – 12:50. Lidhur me veprat e cekura penale me 21.06.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se me 18.06.2026 ka shkelur urdhrin mbrojtës duke e larguar nga trupi byzylykun elektronik dhe gjurmuesin GPS që i kishte pasur të vendosura nga data 11.06.2026. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”.
Nga policia e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për numrin e këtyre pajisjeve elektronike që kanë vendosur, që nga fillimi i implementimit të këtij sistemi dhe se cili ka qenë efekti i tij.
Avokatët thonë se kjo tregon një tentativë të shmangies së urdhrit të gjykatës dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet.
“Zbatimi i ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave që me vendim gjykate u kufizohet liria e lëvizjes ku përmes tjerash siguri më të madhe për viktimat për faktin se ato mbrohen nga riviktimizimi potencial, prej veprimeve të ndaluara të personave që janë në këtë masë është edhe dëmtimi apo heqja e paisjeve që përqon sinjal tek salla operative”, ka theksuar Ardian Bajrakatari – Avokat.
“Prishja e hallkës elektronike në një rast konkret dikon në një formë edhe tek besueshmëria e palës së dëmtuar apo palës së mbrojtur në një procedurë gjyqësorë…Në të gjitha ato raste ku vërtetohet së pala përgjegjëse me dashje me qëllim ka hequr e ka dëmtuar hallkën elektronike atëherë duhet të zhvillohet procedurë penale ndaj tij”, ka deklaruar Meshari Selimaj – Avokat.
Në Kosovë vazhdimisht ishte kërkuar vendosja në funksion e hallkave elektronike, meqë viteve të fundit u shënua rritje në rastet e dhunës në familje, madje vrasje nga persona që kishin edhe urdhër gjykate që të mos u afrohen viktimave./TVDUKAGJINI