Hamasi thotë se s’do të çarmatoset derisa të krijohet shteti palestinez
Hamasi ka riafirmuar se nuk do të çarmatoset nëse nuk krijohet një shtet i pavarur palestinez, ndërsa grupi publikoi videon e dytë brenda dy ditësh të një pengu izraelit. Siç transmeton britanikja “The Guardian”, duke iu përgjigjur njërës prej kërkesave kryesore izraelite për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Hamasi – i cili ka dominuar […]
Hamasi ka riafirmuar se nuk do të çarmatoset nëse nuk krijohet një shtet i pavarur palestinez, ndërsa grupi publikoi videon e dytë brenda dy ditësh të një pengu izraelit.
Siç transmeton britanikja “The Guardian”, duke iu përgjigjur njërës prej kërkesave kryesore izraelite për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Hamasi – i cili ka dominuar territorin që nga viti 2007 – tha se nuk mund të heqë dorë nga e drejta e tij për “rezistencë të armatosur” nëse nuk krijohet një “shtet palestinez i pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet”.
Negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që synonin të siguronin një armëpushim 60-ditor në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve përfunduan javën e kaluar në bllokim.
Të shtunën, Hamasi publikoi një video të dytë të pengut Evyatar David. Në të, David është shumë i dobët dhe shfaqet duke hapur një gropë, të cilën, siç thotë ai në video, e ka për varrin e tij.
Kufizimet izraelite mbi hyrjen e mallrave dhe ndihmave në Gaza kanë çuar në mungesa të mëdha ushqimi dhe artikujsh të tjerë thelbësorë, duke nxitur kërkesat ndërkombëtare për një armëpushim. Ekspertët e sigurisë ushqimore të mbështetur nga OKB-ja thanë këtë javë se ” skenari më i keq i urisë ” tani po zhvillohet në Gaza.
Hamasi e ka përfshirë këtë çështje në videot e tyre të pengjeve, duke paralajmëruar se pengjet po vuajnë nga uria bashkë me pengmarrësit e tyre dhe se koha për një armëpushim po mbaron.
Në një deklaratë, familja e Davidit kërkoi që ndihma që po arrin në Gaza falë konvojeve të rinovuara të OKB-së dhe dërgesave ajrore të huaja duhet të arrijë edhe tek djali i tyre.















