Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po procedohen draftligjet në Kuvend, duke theksuar se ato po sillen me procedurë të përshpejtuar dhe pa hapësirën e nevojshme për debat.
Gjatë një deklarimi në Kuvend, Hamza u ndal veçanërisht te projektligji për energjinë, për të cilin tha se është dashur të procedohej në mënyrë të rregullt dhe në kohë, e jo në formë urgjente.
“Kosova mund t’i humb paratë, por fajtorët jeni ju, për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë. Për të debatuar për ligjin, është në përgjegjësinë e deputetëve të Kosovës. Pse nuk e keni sjellur para një muaji, kush u ka ndaluar. Ju po deklaroni që ligji është prej vitit 2024, atëherë e sjellni në procedurë të përshpejtuar si shumicën e ligjeve që po vijnë në këtë Kuvend. Nëse dëshironi me i trafiku, me i kontrabandu ligjet, me cënu të drejtën e deputetëve për të diskutuar për të dhënë kontributin e tyre, kritikat, alternativat, propozimet është tjetër”, tha Hamza.