Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, teksa ka nisur numërimi i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar që secila votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve.
Hamza, mes tjerash, u shpreh se demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj, njofton Dukagjini.
“Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij. Tani është shumë e rëndësishme që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve. Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund. Faleminderit Kosovë!”, ka shkruar Hamza.