Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka bërë sërish thirrje kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, që ta thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Hamza tha se PDK-ja tashmë i ka dërguar ftesë Haxhiut për thirrjen e seancës, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që të jenë të pranishëm në Kuvend për ta votuar projektligjin.
“Po presim që të thirret seanca. I kemi dërguar ftesë Haxhiut që ta thërrasë seancën. Kërkojmë që Ligji të aprovohet në lexim të dytë. Ju bëj thirrje deputetëve që të vijnë në Kuvend për ta votuar ligjin”, tha Hamza.
Ai i bëri thirrje edhe Qeverisë që të mos ndërmarrë veprime që, sipas tij, mund të kontribuojnë në tensionimin e situatës.
“Po i bëj ftesë Qeverisë të mos kontribuojë në tensionimin e situatës”, u shpreh ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Hamza tha se afati i sotëm për zgjedhjen e presidentit është koincidencë me zhvillimet rreth këtij ligji.
“Rasti i presidentit është koincidencë dhe është koincidencë që sot është afati i fundit për t’u zgjedhur presidenti. Është mirë të kemi marrëveshje për të mos shkuar në zgjedhje. Kjo është temë e ndarë”, tha Hamza.
Megjithatë, ai theksoi se PDK-ja nuk e sheh të nevojshme të zhvillojë takime me palët e tjera para se projektligji të kalojë në lexim të dytë.
“Nuk kemi çka të takohemi me askënd para se të kalojë ligji në lexim të dytë”, deklaroi Hamza.