Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se krijimi i institucioneve të reja duhet të jetë prioritet, duke vlerësuar se mungesa e stabilitetit institucional po e dëmton vendin.
Pas ftesës për takim të dërguar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për liderët e partive opozitare, Hamza ka thënë se PDK-ja do të sillet me përgjegjësi, duke lënë të hapur mundësinë e takimeve për të diskutuar për tejkalimin e situatës aktuale politike.
“Po flasim për krijimin e institucioneve të vendit. Kosova po përballet me vakum institucional dhe kjo mungesë e stabilitetit është duke e dëmtuar vendin. Duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj se secili prej nesh duhet të sillet në atë mënyrë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se, sipas tij, ftesa për takime duhet të bëhet në përputhje me rendin institucional dhe se ajo duhet të vijë nga subjekti politik që ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
“Ftesa duhet të dërgohet qysh e do rendi, të dërgohet nga kryetari që ka më së shumti ulëse në Kuvend”, ka thënë Hamza.
Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se nuk është kundër takimeve, por ka nënvizuar se diskutimi duhet të fokusohet fillimisht në interesin e vendit dhe në sfidat me të cilat përballet Kosova.
“Nuk jam kundër takimeve. Para se të flasim për pozita, janë më të rëndësi prioritetet, adresimi i sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk dakordohemi për këto…”, ka deklaruar ai.
Hamza ka bërë të ditur se i ka kthyer përgjigje ftesës për takim, duke propozuar që PDK-ja të zhvillojë takim të veçantë të nesërmen në orën 09:00.