Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar si të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për më shumë kohë për bisedimet rreth zgjedhjes së presidentit, çka çoi në shtyrjen e seancës ku pritej të propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit.
Hamza ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie në raport me institucionet e vendit.
“Siç e vërejtët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme me institucionet”, ka deklaruar Hamza.
Ai tha se seanca u thirr në afatin e fundit të paraparë me Kushtetutë, por sipas tij, në vend të konstituimit të Kuvendit, u mbajtën fjalime politike dhe nuk u propozua emri për kryeparlamentar.
“Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin dhe në fund dalin, mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emrin e kryetarit, e shtyjnë propozimin dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, është shprehur Hamza.