Hamza pas takimit me Kurtin: PDK do të mbetet në opozitë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka konfirmuar se kjo parti do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Duke folur për media pas takimit, Hamza tha se PDK-ja në zgjedhje kishte garuar me një program të qartë qeverisës, të fokusuar në zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale, investimet në energji dhe infrastrukturë.

“Ne posa e përfunduam takimin me zotin Kurti. Ju e dini qëndrimin tim që ka qenë publik, që Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje ka garu me një program. Ka garu me prioritete, të cilat kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, me fushën e mirëqenies sociale, tu përfshi rritjen e pagave, pensioneve, dhe të gjitha pagesave të tjera, me projekte në energji, në infrastrukturë, dhe ky ka qenë projekti jonë. Ky ka qenë prioriteti jonë. Që ne me bë punë, me bë veprime, qysh me e përmirësu këtë vend, e qysh me e përmirësu jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ai rikujtoi se PDK kishte shprehur gatishmëri për të biseduar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, pa vendosur vija të kuqe, por tha se pas diskutimeve të zhvilluara me Kurtin, qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.

“Pastaj për me u zbatu këto prioritete, kemi thënë që Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Është e hapur, dhe është e hapur për të biseduar, pa u imponuar, për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, tu i përfshi të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat që i kemi pasë, dhe në diskutimet që i kemi pasë, normalisht korrekte, normalisht korrekte, qëndrimi jonë është që Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, tu i përfshi të gjitha institucionet, se përveç Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, kështu që matematikisht ka mundësi me u bë kompletimi i të gjitha institucioneve, dhe këtu do të thotë është pozita e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike në Kuvend për çështjet që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të vijmë edhe në interes të qytetarëve të Kosovës, të Kosovës dhe për të gjitha ato çështje ku është interesi i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmu edhe unë kam qëndru, kam insistu, kam premtu që vota e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë votë pro, tu përfshi marrëveshje financiare ndërkombëtare dhe marrëveshje të tjera që kërkojnë dy të tretat e votave edhe që janë në interes të Kosovës”, tha ai.

Të fundit nga rubrika