Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve prej 50 për qind, duke theksuar se këto masa do të jenë të përhershme dhe jo vetëm gjatë periudhave zgjedhore.
Në një konferencë për media, Hamza deklaroi se punëtorët në sektorin publik do të përfitojnë rritje të qëndrueshme të pagave, me qëllim që qytetarët të kenë planifikim dhe parashikueshmëri financiare.
“Do të ketë rritje të pagave prej 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme. Nuk do të jetë ndihmë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por një rritje e qëndrueshme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë planifikim dhe parashikueshmëri”, deklaroi ai.
Ai shtoi se kjo rritje nënkupton që punëtorët në sektorin publik do të marrin “gjashtë paga më shumë” gjatë vitit.
Hamza paralajmëroi gjithashtu rritje të pensioneve dhe përfitimeve sociale për të gjitha kategoritë përfituese, përfshirë pensionistët kontribuues, pensionistët e moshës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët, personat paraplegjikë e tetraplegjikë, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Dhe kjo nuk i bie që punëtorët e Kosovës në sektorin publik të marrin një pagë më shumë në vit, por kjo i bie që të marrin gjashtë paga më shumë. Dikush që ka pagën 900 i bije që të merr 1350 euro me rritje. Ai qe i merr 800 euro i bie që të merr 1200 euro. Do të ketë rritje pensionesh për të gjitha kategoritë, për kontribuuesit, për moshën, për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, për veteranët, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës”, tha ai.
Sipas Hamzës, familjet e dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin vetëm një pension në rastet kur kanë më shumë se një dëshmor në familje.
Ai bëri të ditur se asnjë pagesë për këto kategori nuk do të jetë më e vogël se 250 euro.
“Do të ketë rritje të përfitimeve për 50%, dhe do të ketë edhe beneficione të tjera. Te familjet e dëshmorëve nuk do të ketë detyrim me zgjedh mes pensionit të dëshmorit, nëse ke tre dëshmorë në familje. Kjo është një lloj kujdesi i shtetit në raport me kontributin e tyre. Dhe nuk do të ketë pagesë më të vogël se 250 euro”, tha Hamza.