Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Drenicë, duke akuzuar Qeverinë për përdorim të Policisë së Kosovës për presion politik dhe demonstrim force.
Hamza tha se “mbrëmë pamë skena aspak të mira”, duke theksuar se njësi speciale të Policisë së Kosovës janë dërguar në Drenicë “me prapavija presioni dhe demonstrimi force”, me urdhër të Qeverisë.
Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndalë, siç u shpreh ai, “propagandën, urrejtjen dhe provokimet”, duke e akuzuar për keqpërdorim të shtetit për interesa partiake.
“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.
E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.
Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.
Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, ka shkruar Hamza.
Në pamjet dhe raportimet e përcjella nga TV Dukagjini qysh në orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë shihen duke iu drejtuar me pyetje pjesëtarëve të Njësisë Speciale.