Hamza viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Kosova të bëjë më shumë për ta
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, e ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët po gjykohen nën akuzat për krime lufte. Hamza tha se ish-krerët e UÇK-së në Hagë po paguajnë çmim të lartë dhe të padrejtë. “Sa herë që jam në Hagë për […]
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, e ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët po gjykohen nën akuzat për krime lufte.
Hamza tha se ish-krerët e UÇK-së në Hagë po paguajnë çmim të lartë dhe të padrejtë.
“Sa herë që jam në Hagë për t’i takuar presidentin Thaçi, kryetarin Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësi të Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë”, u shpreh ai.
Hamza u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre “dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë”.
“U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor. Njëkohësisht, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë”, tha Hamza.
“Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”, përfundoi ai.















