HANDIKOS-i kërkon mbështetje konstante, për komunën problem rregullorja

Qendra e shërbimeve sociale në HANDIKOS ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme nga Komuna e Prishtinës për të shmangur mbylljen. E për këtë, nga komuna kanë thënë që subvencionet e herë pas hershme janë e vetmja mënyrë për ofrimin e mbështetjes

“Atëherë u nijsha i lumtur e sot s’mundem kur është objekti thatë”. 

Nga jashtë mbetet po i njëjti objekt por të njëjtën nuk mund ta thuash për pjesën brenda.

Ky vend tanimë është bosh, me plot shkrime dëshirash të lëna pas nga fëmijët.

Për të birin e Fidajete Shala Pllanës dhe vet familjen Pllana, kjo qendër është një krah mbështetjeje.

“Kam dy vite që djali im merr shërbime këtu duke fillu nga ato fizioterapeutike, psikosociale e logopedike. Ka ndihmu shumë së pari në mirëqenien e Lindit dhe timen si prind, sepse përveç shërbimeve që i ka marrë edhe unë si prind në seanca të psikologu, aktivitete ka ndiku edhe në mirëqenien tonë ekonomike”, ka thënë Shala-Pllana.

Por si shkak i mungesës së fondeve kjo qendër rrezikon të mbyllet.

“Nëse kjo qendër mbyllet ne si prind pra fëmijët kthehemi nga zero. E them me përgjegjësi të plotë sepse kudo që vazhdojmë të marrim shërbime, ajo qendër nuk i ka të dhënat e fëmijëve tanë dhe arritjeve të tyre”, ka shtuar Shala-Pllana.

Veprimtarinë, HANDIKOS-i e kryen duke u bazuar në projekte të caktuara dhe nuk pranon mbështetje të vazhdueshme nga komuna e Prishtinës, për të cilën ka edhe një kërkesë.

“Nuk kemi gatishmëri deri tash nga Komuna e Prishtinës që të na mbështes. Kur them që të na mbështesë, jo përmes projekteve siç ka qenë një këtë vit për 15 mijë euro por të ketë qëndrueshmëri kjo qendër si të fëmijëve si të rriturve me aftësi të kufizuara”, ka thënë drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi.

Mbështetja financiare kishte qenë premtim nga kandidatët për kryetar të kryeqytetit në zgjedhjet lokale të kaluara.

Por, komuna thotë se nuk mund të sigurojë mbështetje mujore ndaj HANDIKOS-it.

“Prishtina në vazhdimësi ka ofruar mbështetjen e parezervë për shoqatën e HANDIKOS. Në vitin 2022 Kryeqyteti ka ofruar mbështetje në vlerë rreth 25.000EUR për shoqatën HANDIKOS (10.000EUR përmes Kuvendit Komunal, afër 15.000EUR përmes subvencioneve që ofron Drejtoria e Mirëqenies Sociale). Gjithashtu, shoqata ka pranuar mbështetje edhe këtë vit në shumë maksimale prej 15.000EUR përmes subvencioneve si e vetmja mënyrë për ofrimin e mbështetjes sipas Rregullores MF-nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Mbështetja për HANDIKOS do të vazhdoj edhe në vitet në vazhdim përmes thirrjeve të hapura për subvencione nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale”, ka thënë Arbëresha nazeliu nga Komuna e Prishtinës.

Thirrja për ofrim të fondeve dhe ndihmave në çfarëdo forme mbetet e hapur nga HANDIKOS.