Ministria e Arsimit e Kosovës ka njoftuar se nga sot (e hënë) 27 korrik, është hapur procesi i aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht klasave 1 deri në 9.
Sipas njoftimit, aplikimi do të bëhet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.
Mjetet financiare për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon.
Ministria u ka bërë thirrje prindërve që, para se të aplikojnë, të sigurohen se xhirollogaria bankare është aktive dhe se të dhënat e tyre në platformën eKosova janë të përditësuara.
Procesi i aplikimit është i hapur edhe për shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Kosovë, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimin në institucionet arsimore të vendit. Ndërkaq, për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Kosovës, Ministria ka bërë të ditur se do t’ia përcjellë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit listën e këtyre rasteve, në mënyrë që t’u mundësohet qasja në platformën eKosova për aplikim.
Linqet për aplikim janë:
Klasat 1–5: https://rks-gov.net/469
Klasat 6–9: https://rks-gov.net/471
Ministria rikujton gjithashtu se, në bazë të Udhëzimit Administrativ për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, prindërit dhe nxënësit janë përgjegjës për ruajtjen e tyre. Në përfundim të vitit shkollor, tekstet duhet të kthehen në shkollë në gjendje të rregullt.
Në rast se tekstet humbin ose dëmtohen me dashje apo nga pakujdesia, prindi obligohet t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës në fund të vitit mësimor.
Sipas Ministrisë së Arsimit, të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.