Në një mëngjes me lagështi të shtatorit, murgjit kamboxhianë të veshur me rroba portokalli u mblodhën në sallën e nisjeve të aeroportit më të ri të vendit, për të bekuar një statujë 9-tonëshe të Budës prej ari që tashmë vëzhgon udhëtarët teksa nisen. Vetëm pasi kjo statujë u bekua, aeroplanët mund të fillonin të uleshin në Aeroportin Ndërkombëtar “Techo” në Phnom Penh.
Katër ditë më vonë, fluturimi i parë i “Air Cambodia” nga Guangzhou i Kinës mbërriti nën harkun e ujit ceremonial, ndërsa valltaret tradicionale Khmer mirëpritën pasagjerët me kostume mëndafshi dhe kërcime rituale. Më 20 tetor, kryeministri kamboxhian Hun Manet preu shiritin inaugurues, duke e quajtur aeroportin “një arritje të re që pasqyron vizionin afatgjatë të zhvillimit të Kamboxhias”, raporton CNN.
Një projekt prej 2 miliardë dollarësh për turizëm dhe investime
Me një kosto të raportuar prej 2 miliardë dollarësh dhe i vendosur rreth 30 kilometra në jug të kryeqytetit, aeroporti “Techo International” synon të kthehet në një portë të re për turizmin dhe investimet në jugun ende të pashfrytëzuar të Kamboxhias. Terminali 87 mijë metra katrorë, me dritë natyrale, dysheme druri të çelët dhe gjelbërim tropikal, është projektuar nga kompania britanike Foster + Partners.
Arkitekti Nikolai Malsch tha se dizajni është ndërtuar mbi thjeshtësinë dhe qartësinë për udhëtarët: “Në çdo moment e di saktë ku je dhe ku duhet të shkosh. Distanca maksimale e ecjes nga qendra e terminalit është vetëm 500 metra.” Çatia me forma të harkuara, frymëzuar nga kurorat e valltareve tradicionale Apsara, shërben gjithashtu si sistem për mbledhjen e ujërave të shiut.
Simbol kombëtar dhe pikë krenarie
Përveç teknologjisë moderne me skanerë të njohjes faciale dhe standarde mjedisore, aeroporti ka edhe këngën e vet zyrtare “Power of Techo International Airport”, të shpërndarë në rrjetet sociale të kryeministrit Hun Manet. “Sektori i aviacionit është mënyrë për të lidhur turistët, bizneset dhe rrjetet politike,” shkroi ai, duke theksuar rëndësinë e infrastrukturës në zhvillimin kombëtar.
Charles Vann, drejtor i kompanisë “Cambodia Airport Investment Company”, deklaroi për CNN se aeroporti do të shërbejë si magnet për vizitorë: “Besojmë se kjo qendër mund të tërheqë turistë ashtu si Dubai apo Londra.”
Pjesë e planit “Sacred Tourism 2025–2035”
Aeroporti “Techo” dhe ai i ri “Siem Reap–Angkor International” (hapur në vitin 2023 nën nismën kineze Belt and Road) janë dy shtyllat kryesore të strategjisë kamboxhiane për turizëm të qëndrueshëm. Qeveria synon të diversifikojë ofertën përtej tempullit të famshëm Angkor Wat, duke zhvilluar turizmin shëndetësor, bujqësor dhe komunitar.
Tashmë nga Phnom Penh mund të fluturohet drejt Bangkokut, Pekinit, Hanoit, Singaporit dhe Kuala Lumpur-it, ndërsa këtë vjeshtë pritet të shtohen edhe linjat direkte nga Stambolli dhe Abu Dhabi, duke e bërë më të lehtë qasjen e turistëve nga Evropa dhe Lindja e Mesme.

Sfida dhe skepticizëm
Megjithatë, jo gjithçka është e ndritur. Vetëm katër ditë para inaugurimit, Koreja e Jugut lëshoi një “kod të zi” paralajmërues për udhëtimet drejt Kamboxhias pas vdekjes së një studenti korean në një qendër mashtrimesh telefonike. Gjithashtu, disa vende vazhdojnë të paralajmërojnë për rreziqe sigurie në kryeqytet dhe për eksplozivët e pashpërthyer nga luftërat e mëparshme.
Eksperti i aviacionit Shukor Yusof shprehet skeptik se një aeroport i ri mund të ringjallë menjëherë turizmin: “Vendet fqinje si Vietnami dhe Tajlanda ofrojnë më shumë diversitet kulturor, gastronomik dhe mbi të gjitha, siguri. Përveç Angkor Wat dhe Fushave të Vrasjeve, Kamboxhia ka pak atraksione të tjera për turistët,” tha ai.
Për një imazh të ri kamboxhian
Projekti i dytë i fazës së zhvillimit do të përfshijë lidhjen hekurudhore me qendrën e Phnom Penh-it. Për momentin, pasagjerët mbërrijnë kryesisht me makina private ose tuk-tuk përgjatë autostradës së re që kalon nëpër fusha orizi. Aeroporti i vjetër i kryeqytetit tashmë është mbyllur, pa një plan të qartë për përdorimin e ardhshëm.
Nën vështrimin e Budës prej ari në sallën e nisjeve, “Techo International Airport” po nis hapat e parë në misionin e tij për të riformësuar imazhin global të Kamboxhias. Vendi ka ndërtuar aeroportin që simbolizon shpresat për një epokë të re — tani i mbetet vetëm që bota të vijë.