Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka hapur afatin e aplikimit për përfitim nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitin 2026–2027.
Përmes këtij programi, familjet që i plotësojnë kriteret e përcaktuara do të mund të përfitojnë subvencionim të faturave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe vlen vetëm për një njehsor elektrik.
Aplikimi mund të bëhet përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”. Familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
“Për të përfituar nga ky program, Ekonomia Familjare duhet të plotësojë në mënyrë kumulative kriteret, si në vijim:
- Të gjithë anëtarët e Ekonomisë Familjare të jenë shtetas të Republikës së Kosovës me banim të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës ose shtetas të huaj të pajisur me leje të qëndrimit të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës;
- Të hyrat mesatare mujore për një periudhë prej 12-të muajve të fundit të Ekonomisë Familjare, të jenë të barabarta ose më pak se njëqind e pesëdhjetë euro (150 €) për anëtar të Ekonomisë Familjare”.
Afati për aplikim ka nisur më 19 tetor 2026 dhe do të jetë i hapur deri më 31 mars 2027.
Ministria ka bërë të ditur se subvencionimi fillon nga muaji në të cilin aprovohet aplikimi dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për këtë arsye, familjeve u rekomandohet të aplikojnë sa më herët, në mënyrë që të përfitojnë nga mbështetja për një periudhë sa më të gjatë.
Detajet dhe kriteret për përfitim janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë , ndërsa aplikimi bëhet përmes platformës eKosova.