Hapet ekspozita me 35 fotografi të familjarëve me personat e zhdukur, Qerkini: Puna e zbardhjes së fatit të tyre ka stagnuar

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të martën, janë shfaqur 35 fotografi bardh e zi. Secila prej fotografive është realizuar me familjarët e të zhdukurve

Ekspozita e realizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës

Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kryqi i Kuq i Kosovës ka ekspozuar 35 fotografi bardh e zi, të realizuara me familjarët e të zhdukurve, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, ka thënë se për këtë çështje është bërë shumë pak dhe sipas tij, puna e zbardhjes së fatit të të pagjeturve ka stagnuar.

Ai ka njoftuar se në Kosovë ende vazhdojnë të mbesin të zhdukur një mijë e 617 persona.

“S’kam shumë çka të flas, sikur 30 gushti ditë ndërkombëtare ku me miliona njerëz nuk gjenden dhe janë të pagjetur dhe familjarët janë me vaj, jo vetëm te ne por thuajse në krejt botën. Mjerisht te ne janë edhe 1617 persona ende të pagjetur, ku ne si familjarë e shohim se është bërë shumë pak, por edhe ka stagnuar puna e zbardhjes së fatit të të pagjeturve”, është shprehur ai për EO.

Një nga 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve

Qerkini ka apeluar te të gjitha institucionet përkatëse që çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë ta trajtojnë më me seriozitet.

“Lusim të gjithë ata që janë të kyçur në këtë proces ta largojnë politikën dhe të kapin pjesën humane njerëzore dhe të na kthejnë më të dashurit. Të punojnë më shumë se që kanë punuar deri më tani. Për të gjithë akterët, ta marrin më seriozisht këtë çështje, të mos na lënë veç duke qarë e duke shikuar”, shtoi ai.

Drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini

Në anën tjetër, koordinatorja e Shërbimit të kërkimit në Kryqin e Kuq të Kosovës, Adelina Syla, ka thënë se qëllimi i ekspozimit të këtyre fotografive është sensibilizimi me familjarët.

“Kryqi i Kuq i Kosovës ka realizuar ekspozitën me familjarë të personave të zhdukur, siç e shihni ekspozita përbëhet prej 35 fotografive, të cilat janë bardhë e zi. Qëllimi i fotografive është sensibilizimi me familjarë të personave të zhdukur dhe normal të përçohet një mesazh nga thëniet të cilat i kemi marrë prej familjarëve të personave të zhdukur gjatë vizitave të tyre”, ka thënë ajo.

Një nga 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve

Fotografitë janë të shoqëruara me thënie që tregojnë atë që po përjetojnë familjarët tash e 23 vjet.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në orën 18:00 dhe është hapur në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur.

Për ta përkujtuar këtë ditë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i vendit Albin Kurti, mëngjesin e së martës do të bëjnë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur.

Po ashtu, Kurti do të marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë 500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa gërmime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Shteti i Serbisë i ka ndërprerë gërmimet për mbetjet mortore të personave të zhdukur në lokacionin e Shtavalit afër Sijenicës në territorin e Serbisë.

Gërmimet në Shtaval kishin filluar më 10 maj dhe nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive që është kërkuar.

Gërmime janë bërë edhe në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve të vrarë gjatës luftës.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika