Hapet tenderi për punëtorët e QKUK-së, të martën pritet të kthehen në punë
Këtë herë, kanë ardhur të presin para administratës së SHSKUK-së me shpresën se pritja, do t’ia vlejë. Punëtorët e sigurimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë qëndruar të premten deri në pritjen e hapjes së ofertës për tender, pas afateve të shtyra njëra pas tjetrës. E deri atëherë, qëndrimin para derës së administratës do […]
Këtë herë, kanë ardhur të presin para administratës së SHSKUK-së me shpresën se pritja, do t’ia vlejë.
Punëtorët e sigurimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë qëndruar të premten deri në pritjen e hapjes së ofertës për tender, pas afateve të shtyra njëra pas tjetrës.
E deri atëherë, qëndrimin para derës së administratës do ta kenë të përditshëm.
“Punëtorët sot kanë ardhur me vullnet të mirë se i kemi njoftuar se do ketë risi të mira për t’ia filluar punës sa më shpejtë. Siç na kanë premtuar herën e kaluar, jemi optimist se oferta do hapet në orën 13:00, ne bëjmë pezullim të grevës në momentin kur nënshkruhet kontrata që të kthehemi në punë. Nëse s’ka vendim, javën tjetër do bllokojmë hyrjen”, ka thënë Hakif Sylejmani, Përfaqësues i punëtorëve grevistë.
Dhe ashtu ndodhi. Pas afro dy muajsh në pritje, procesi u nis e pritet të mbarojë javën që vjen.
“Procesi i prokurimit përfundoi. Përgjegjësi i prokurimit që ishim në kontakt dhe se procesi ka përfunduar. Neve nuk ka intereson cila kompani e ka marrë. Nënshkrimi i kontratës do bëhet të hënën dhe shpresoj që të martën, punëtorët do jenë në vendin e punës. Procesi përfundoi”, ka thënë Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
Duke qenë se procesi i tenderimit nuk është publikuar në faqen zyrtare, lë të nënkuptohet se kontrata është një burimore, ashtu siç ka ndodhur rëndom edhe herat e kaluara.
Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Drejtoria e QKUK por edhe nga ajo e SHSKUK-së lidhur me garancinë e kthimit në punë të martën, por nga të njëjtit, nuk ka pranuar përgjigje.
Një reagim nuk ka pasur as nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka përcjellë për së afërmi procedurën, duke paralajmëruar masa nëse kjo situatë vazhdon.
Që nga 22 qershori, punëtorët e sigurimit në QKUK janë në grevë dhe kanë mbajtur edhe protesta duke kërkuar garancinga drejtoria e SHSKUK-së për kushte më të mira pune dhe rikthimin e tyre nën menaxhimin e QKUK-së.















