Një tjetër periudhë aplikimi që bizneset e vogla të dëshmojnë se i përmbushin kriteret për të mbetur në Shërbimin Universal të furnizimit me energji elektrike, mund të hapet tre javë pasi fillimisht u mbyll.

Jo zyrtarisht, televizioni mësoi se shumica e rreth 100 mijë bizneseve, me më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor, nuk i kanë paraqitur dëshimtë e nevojshme për të vazhduar furnizimin me çmime të rregulluara.

Në KESCO nuk konfirmuan numrin e konsumatorëve komercialë që paraqitën dëshmitë, por pranuan se po shohin mundësinë e ri-hapjes së aplikimit.

“Në bashkëpunim me institucionet relevante po shqyrtojmë mundësitë për të shtuar edhe një afat shtesë në mënyrë që të gjitha bizneset e vogla të cilat nuk i kanë mbi 50 punëtorë dhe 10 milionë euro qarkullim, të dorëzojnë dokumentet e nevojshme përmes aplikimit online në uebfaqen tonë, në të kundërtën do jenë subjekt i çmimeve të tregut (importit)”, ka thënë zëdhënësja e KESCO, Margarita Rashiti.

Bizneset e vogla, që nuk i paraqesin dëshmitë dalin me automatizëm në tregun e hapur dhe e rrezikojnë kthimin në kuadër të Shërbimit Universal.

Ndërkohë, konsumatorët me më shumë se 50 punëtorë dhe 10 milionë euro qarkullim vijojnë ta kundërshtojnë këtë proces të nisur nga Zyra e Rregullatorit për Energji, duke kërkuar më shumë kohë për përgatitje.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka nisur një peticion me bizneset që i prekë “hapja e tregut”, me synimin për t’ia dërguar Kuvendit pas konstituimit.

“Sot kompanitë nuk kanë një listë të qartë se kush janë kompanitë e licencuara nga ZRRE-ja që do t’u ofrojnë atyre energji? Çfarë çmimi do të ketë? aktualisht nuk ke një platformë Kosova që të mund t’i bësh krahasimin e çmimeve që ofrojnë kompanitë e licencuara. Nuk dimë asgjë nga to. Ne kemi provuar disa kompani që konsiderohet që janë të licencuara në ZRRE dhe askush nuk përgjigjet në telefonat e tyre, janë kryesisht të mbyllur”, ka drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti.

Krahas atij që e quajti “nxitim mes paqartësish”, Ahmeti ngriti dyshime se kjo situatë mund t’i shërbejë forcimit të dominimit të KESCO-s në treg.

“Bizneset tona janë të interesuara për të rritur kapacitetet e prodhimit të energjisë nga panelet solare për nevojat e veta, duke e ulur kërkesën për konsum. Dhe, në anën tjetër del ZRRE-ja thotë ne nuk mund ta rrisim këtë se rregulloret dhe ligjet tona nuk na lejojnë diçka të tillë. Kjo vërehet qartë që është një tendencë për të krijuar këtë monopolin e panevojshëm”, ka shtuar Ahmeti.

Në Zyrën e Rregullatorit për Energji nuk thanë asgjë për peticionin.

Nëse nuk ka ndryshim, nga 1 qershori bizneset me më shumë se 50 punëtorë dhe  me  më shumë 10 milionë euro qarkullim vjetor, por edhe ato të vogla që nuk paraqesin dëshmitë, do të dalin në tregun e hapur.