Hapja e tregut: Tri ditë kohë që bizneset e vogla të aplikojnë për të vazhduar me KESCO-n
Të gjitha bizneset e vogla, kanë afat vetëm deri të premten e 16 majit që t’i paraqesin në KESCO dëshmitë për të vazhduar furnizimin me tarifat aktuale – të rregulluara. Megjithatë, shumë prej tyre ende nuk e kanë bërë këtë – ndërsa, thonë se nuk janë në dijeni të procesit e as pasojave. I pyetur […]
Të gjitha bizneset e vogla, kanë afat vetëm deri të premten e 16 majit që t’i paraqesin në KESCO dëshmitë për të vazhduar furnizimin me tarifat aktuale – të rregulluara.
Megjithatë, shumë prej tyre ende nuk e kanë bërë këtë – ndërsa, thonë se nuk janë në dijeni të procesit e as pasojave.
I pyetur se A janë të informuar për pasojat që janë për bizneset që nuk aplikojnë?] ai u përgjigj: Jo. [Pra nuk e dini që nëse nuk aplikoni nga 1 Qershori keni tarifa krejt tjera?] Jo, nuk jemi të informuar për këtë. Jo” – Deklaroi Fejzullah Ademi
Në rast se nuk i paraqesin dëshmitë, edhe nëse kanë më pak se 50 punëtorë ose më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor, bizneset do të dalin me automatizëm në tregun e hapur.
Kjo nënkupton që bizneseve që nuk aplikojnë, nga 1 Qershori, do t’u ndërpritet furnizimi nga KESCO apo me çmime të rregulluara.
Rihapja e aplikimit, pasi ishte mbyllur muajin e kaluar, sipas zëdhënëses së KESCO-s, Margarita Rashiti u bë për t’u dhënë kohë shtesë bizneseve.
Margarita Rashiti, Zëdhënëse në KESCO
“Është shumë me rëndësi që të aplikojnë nëse dëshirojnë të furnizohen në KESCO më tarifa të rregulluara. Në të kundërtën, do të dalin në tregun e hapur dhe do të tarifohen me çmime të tregut” deklaroi Margarita Rashiti
Derisa bizneset me më shumë se 50 punëtorë dhe më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, do të dalin me automatizëm në tregun e hapur, Rashiti tregoi se kush duhet të aplikojë për të mbetur me KESCO-n.
“Të gjitha bizneset që nuk i kanë as 50 punëtorë as 10 milionë euro qarkullim. Do të thotë, berberë, butiqe, kafiteri, restauronte, kiosqet e vogla, të gjitha bizneset, të secilës veprimtari, por të cilat nuk e kalojnë asnjërin nga këto dy kritere të parapara me ligj” – përfundoi Rashiti
Bizneset e vogla që dalin në tregun e hapur si pasojë e mos-aplikimit, mund të përballen me vështirësi për kthimin në shërbimin universal të cilin e ofron KESCO.
Paraqitja e dëshmive të nevojshme për të vazhduar furnizimin me çmime të rregulluara: certifikatës së biznesit dhe shifrës së konsumatorit, mund të bëhet fizikisht ose në emalin e KESCO-s.















