Haradinaj akuzon Qeverinë se ka ulur mirëqenien e qytetarëve dhe ka rritur çmimet dhe luksin e saj

Ish-kryeministri i Kosovës tashmë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë se ka ulur mirëqenien e qytetarëve dhe ka rritur çmimet dhe luksin e saj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës tashmë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti është duke mashtruar.

Haradinaj ka thënë se qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë.

“Dmth i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale. Me buxhetin e vitit 2022, për investime kapitale ishin paraparë 698 milionë euro e janë realizuar 422 milionë. Dmth 280 milionë më pak”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka thënë tutje  se për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale.

“Kjo dmth se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë”,ka shtuar Haradinaj.

“Këto 478 milionë të taksapaguesve nuk u janë kthyer atyre, por janë ruajtur në “bunkerin financiar” të qeverisë dhe kjo në kohën më të keqe, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike sociale, por edhe të inflacionit që ka mbërritur në pothuaj 20 përqind. Për të qenë tablloja edhe më e zezë, prej këtyre 422 milionëve të investimeve kapitale, rreth 24 milionë janë pagesa ndëshkimore pa kurrfarë përfitimi, 88 milionë avanse për punë që as që kanë filluar, 16 milionë për mirëmbajtje, 17 për ndërtesa administrative e kështu me radhë… Dmth rreth gjysma e kësaj shume (diku rreth 210 milionë) të investimeve kapitale, janë sikur të mos kishin ndodhur fare sepse s’kanë patur asnjë efekt në zhvillimin ekonomik.

‘Ka pasur propagandë të tmerrshme edhe në fushën e punësimit. Njëri thoshte se janë punësuar mbi 20 mijë persona e tjetri ia kalonte… Por faktet flasin ndryshe!”, ka potencuar  Haradinaj.

“Me Ligjin per Buxhetin 2022 janë paraparë që në sektorin publik mund të figuronin 87 mijë e 311 të punësuar, kurse për këtë vit kanë qenë 7225 veta më pak, nga sa lejonte buxheti. Kjo do të thotë se kjo qeveri nuk e ka realizuar planin e punësimit as aq sa ia lejonte buxheti i paraparë.  Këta edhe fondin e pagave e kanë pasur për 8 milionë euro më pak se në vitin 2020. Por kjo është shuma nominale, sepse nëse asaj ia kalkulojmë rritjen e çmimeve dhe inflacionin për vitin 2021 dhe 2022, del se të punësuarit në sektorin publik për vitin 2022, në vlerë reale janë paguar përreth 100 milionë më pak”, ka theksuar ai.

Haradinaj është shprehur se Qeveria përpos që nuk ka shpenzuar aq sa e ka pasur buxhetin dhe aq sa ka paraparë, “ajo ka shënuar dështime edhe në grumbullimin e buxhetit. Kështu psh, nga të hyrat e parapara buxhetore për vitin 2022, në shumë prej mbi 3 miliardë eurosh, janë realizuar 382 milionë më pak”.

Haradinaj ka shtuar se janë rritur shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, prej 280 milionë sa ka qenë në vitin 2021 në 333 milionë në vitin 2022.

“Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit prej 3 milionë e 182 mijë eurosh sa ka qenë në vitin 2020, janë rritur në 8 milionë e 185 mijë në vitin 2022; Janë rritur edhe udhëtimet brenda vendit, nga 1 milionë e 73 mijë euro për vitin 2020 në 2.199 mijë; Karburantet për vetura zyrtare nga 6 milionë e 613 mijë në 2020 janë rritur në 11 milionë e 342 mijë euro në 2022. Edhe drekat zyrtare poashtu.

Që të mos dalë se kjo qeveri ka pasur vetëm rënie. Ka pasur edhe rritje, në luksin e qeverisë, për të cilin na ka pasë folur aq shumë Albin Kurti!”.

Sipas Haradinajt, “dështimet e njëpasnjëshme në politikat buxhetore financiare të shtetit, nuk janë vetëm pasojë e keqmenaxhimit, por edhe e krijimit të “lidhjeve të shkurtëra”, duke vendosur në vendet kyçe, në pothuaj të gjitha agjencitë buxhetore, njerëz sipas çelësit familjar e partiak”.

“Dhe krejt këto që i paraqita më sipër, janë nga të dhënat zyrtare të Qeverisë, sepse e vërteta e plotë do të dalë vetëm pas raportit të Auditorit Gjeneral për buxhetin e vitit 2022 dhe ajo ka mundësi të dalë edhe më e hidhur”, ka përfunduar Haradinaj.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika