Haradinaj e mbështet vendimin e Qeverisë për reciprocitet me Serbinë
Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj e ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Sipas Haradinajt, ky vendim është i ligjshëm dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare. “Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, […]
Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj e ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.
Sipas Haradinajt, ky vendim është i ligjshëm dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
“Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm”, ka vijuar shkrimi i tij.
Në fund, Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që ta ruajnë qetësinë, rendin dhe ligjin.
Ndryshe, bllokimi i rrugëve me barrikada në pjesët kufitare veriore ka filluar nga serbët lokalë.
Kjo si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës, i cili parasheh zëvendësimin e targave në targat zyrtare të Republikës së Kosovës, e i cili do të hyjë në fuqi nga e hëna e një gushtit.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë edhe rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.
Po ashtu, në Rudarë të Zveçanit është vendosur një bllokadë në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë.
Qytetarëve me letërnjoftime të Serbisë do t’u dorëzohet një dokument në hyrje dhe dalje nga vendi, ngjashëm siç ndodh me qytetarët e Kosovës, kur futen në territorin e Serbisë.















