Haradinaj i jep fund drejtimit 26-vjeçar të AAK-së, mbështet Ardian Gjinin për kryetar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke mbajtur kuvendin e saj të dhjetë zgjedhor, ku pritet të ndodhë ndryshimi në krye të partisë pas 26 vitesh udhëheqje nga Ramush Haradinaj.

Në këtë kuvend, Haradinaj falënderoi anëtarët dhe mbështetësit për rrugëtimin shumëvjeçar politik, ndërsa shprehu mbështetjen e plotë për Ardian Gjinin, i cili pritet të marrë drejtimin e AAK-së.

Në fjalimin e tij, Haradinaj rikujtoi angazhimin e tij në luftën e UÇK-së dhe karrierën politike pas luftës, duke theksuar se shërbimi ndaj Kosovës do të vazhdojë edhe pas largimit nga posti i kryetarit të partisë.

“Kam pasur nderin të jem ushtar dhe komandant i UÇK-së. Faleminderit bashkëluftëtarëve dhe gjithë shqiptarëve për sakrificën për liri dhe shtet. Që nga viti 2001 kam shërbyer si kryetar i Aleancës dhe kam pasur nderin të zgjidhem deputet në çdo legjislaturë dhe kryeministër dy herë”, tha Haradinaj para delegatëve.

Ai shtoi se nga sot do të vazhdojë t’i shërbejë Kosovës “si njëri nga anëtarët e Aleancës”, duke theksuar se “shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë”.

Haradinaj pati edhe një mesazh për Ardian Gjinin, për të cilin tha se beson se do të jetë prijës i Aleancës dhe i Kosovës në të ardhmen.

“Sot kryetar Ardian, ne besojmë në ty. Ashtu siç i kam besuar vetes në rrugëtimin tim, ashtu i besoj edhe Ardianit”, deklaroi Haradinaj.

Të fundit nga rubrika