Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më 7 mars, ditën e mësuesit, ka bërë tri kërkesa me të cilat do të përmirësoheshin kushtet për mësimdhënësit,

Sipas Haradinajt, shteti duhet t’i kthehet kërkesave që kërkojnë zgjidhje emergjente për mësuesin e Kosovës.

“Të dashur qytetarë, sot kur po shënojmë Ditën e Mësuesit, shteti duhet t’i kthehet kërkesave që kërkojnë zgjidhje emergjente për mësuesin e Kosovës,” shkruan Haradinaj.

Kërkesa e parë nga Haradinaj është që vlera e koeficientit të ngritet më së paku 130 euro, ngase ngritja që bëri qeveria nga 105 në 110 është ironike dhe ka shtuar shumë pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit.

“Kërkesë e dytë është që të mbetet pika 6 e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale që ua pranon punëtorëve të arsimit ato vite si kontributdhënëse, sepse ndryshimet e bëra me ndyshim-plotësimin e këtij ligji ua mohojnë këtë të drejtë të fituar.”

“Kërkesa e tretë është të mos ndryshohet përmbajtja e Kontratës individuale të punës e as ligjet ekzistuese pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatës dhe palëve tjera, sepse Qeveria Kurti duke shfrytëzuar numrat në parlament, po bën ndryshime në ligje që nuk avancojnë, por mohojnë disa të drejta të fituara e të garantuara me ligjet aktuale,” shkruan Haradinaj.