Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se mirëpret arritjen e marrëveshjes për targa por se i njëjti, pret edhe diçka tjetër.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se pret edhe marrëveshjen për njohje.
“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership Amerikan”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryediplomati evropian, Josep Borell ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Më herët të mërkurën filloi takimi trepalësh në mes Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, takim ky nga i cili u arrit marrëveshje.
“Ne kemi nje marreveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e #Kosovës dhe #Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, ka shkruar Borrell.