Ramush Haradinaj ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e fajësuar për, siç tha ai, zhbërjen e vendimeve strategjike që synonin shkëputjen e Kosovës nga varësia ekonomike dhe energjetike ndaj Serbisë.
Në një postim publik, Haradinaj rikujtoi se më 21 nëntor 2018, gjatë mandatit të tij si kryeministër, kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, masë e cila sipas tij u hoq nga Kurti më 1 prill 2020, duke rikthyer produktet serbe në tregun e Kosovës.
Ai po ashtu theksoi se në vitin 2017 kishte nënshkruar projektin me kompaninë ContourGlobal për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, projekt që sipas tij do ta bënte Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia.
Haradinaj pretendon se anulimi i këtij projekti nga qeveria Kurti i hapi rrugë importit të energjisë elektrike dhe rriti varësinë nga tregjet që, sipas tij, kontrollohen nga interesat serbe.
Në vazhdën e kritikave, ai përmendi edhe refuzimin e projektit amerikan të gazit gjatë viteve 2021–2022, duke ngritur dyshime mbi qëndrimin e Kurtit ndaj investimeve strategjike amerikane në sektorin energjetik.
Duke iu referuar raportimeve të fundit për hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë dhe importit të energjisë elektrike me vlerë qindra milionë euro, Haradinaj tha se politikat e qeverisë aktuale kanë favorizuar interesat ekonomike të Serbisë në dëm të prodhimit vendor dhe sigurisë energjetike të Kosovës.
“Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton”, shkroi Haradinaj, duke shtruar pyetjen nëse kundërshtimi ndaj projektit të gazit lidhet me vetë projektin apo me përfshirjen amerikane në të.
Postimi i tij vjen në një kohë kur debati për sigurinë energjetike, investimet strategjike dhe raportet ekonomike me Serbinë është rikthyer në qendër të diskutimeve politike në Kosovë.