Haradinaj kritikon Qeverinë për Trepçën: Menaxhimi i dobët këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit
Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar aktualisht nga Kryeministri Albin Kurti ka neglizhuar Trepçën, është shprehur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në Facebook, me rastin e 34-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, Haradinaj ka thënë se Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave […]
Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar aktualisht nga Kryeministri Albin Kurti ka neglizhuar Trepçën, është shprehur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook, me rastin e 34-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, Haradinaj ka thënë se Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave e jo vetëm.
“Fatkeqësisht, qeveria e tanishme e ka neglizhuar këtë ndërmarrje. Sot, Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave, me borxhe e prodhim minimal. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor.Menaxhimi i dobët këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze”, ka deklaruar Haradinaj.
Krahas kësaj, i njëjti kujtoi Trepçën dhe veprimet e ndërmarra ndaj saj në kohën e tij si Kryeministër.
“Greva e Minatorëve ishte akt i guximshëm e moment kthese në përpjekjet tona për liri. Kjo grevë u shndërrua në rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e punëtorëve të devotshëm të kohë, ishte rikthimi i Trepçës në burim jete. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, deklaroi Haradinaj.
Sipas këtij të fundit, Trepça ka potencialin ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë së vendit.















