Daut Haradinaj nga Aleanca ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën aktuale politike dhe mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Haradinaj ka deklaruar se Kurti, sipas tij, po kërkon një “viktimë” apo “shkaktar” të cilit do t’ia bartë përgjegjësinë për krizën institucionale.
“Ai bën hajgare tash, me kë mundet, se është humorist i mirë, bile shumë i ngjason atij Mister Binit. Ai e di saktësisht pse nuk e thërret seancën. Ajo kohë ka ikur, ka marrë kohë për ta çuar vendin në zgjedhje. Ai po kërkon një viktimë, një shkaktar, që të dalë para opinionit publik e të thotë: ‘Për shkak të kësaj…’. Mua më vjen keq pse LDK-ja po hyn në këtë kurth”, tha Haradinaj.
Ai e kritikoi Kurtin edhe për qeverisjen e deritanishme, duke thënë se vendi është përballur vazhdimisht me kriza politike dhe procese zgjedhore.
“Ky është ka një krizë pas krize, krizë pas krize, zgjedhje pas zgjedhje”, u shpreh Haradinaj në KlanKosova.
Haradinaj foli edhe për mënyrën se si opozita dhe Aleanca duhet të reagojnë ndaj situatës politike, duke paralajmëruar protesta dhe forma të tjera të reagimit qytetar.
Sipas tij, protestimi nuk nënkupton vetëm organizimin e tubimeve në sheshe, por edhe forma të tjera të presionit publik dhe veprime simbolike ndaj institucioneve.
“Protestimi nuk është me dalë në shesh edhe me i mbajtë tre fjalime. Protestim është edhe ky. Protestim është, për shembull, me shku me i demasku”, tha Haradinaj.