Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po mundohet t’i mbulojë lëshimet që po i bën.

Teksa komentoi vizitën e djeshme në veri, ai theksoi se shefi i ekzekutivit po tenton të mashtrojë kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

“Kryeministri Kurti po mundohet të mbulojë disa lëshime që po i bën, të arsyetohet te votuesit, kryesisht te votuesit e tij. Ishte rasti i tokave për Manastirin e Deçanit e tani janë lëshime tjera si letra e tre udhëheqësve institucionalë, ishte pastër marrja e obligimit për zbatim të asociacionit e njëkohësisht edhe zbatimi i peticionit. Pra, aty ku ka shkuar Kurti. Kurti po paguan pare për të shkarkuar atë. Ka shkuar ta mashtrojë edhe Lulzim Hetemin, me i thënë është patriotike për të shkarkuar me peticion përmes serbëve”, deklaroi Haradinaj para mediave.

Kreu i AAK-së, teksa u pyet për tre vjetorin e zgjedhjes së presidentes së shtetit, tha se roli i presidentes Vjosa Osmani është inekzistent.

“Inekzistente, ne kemi një pushtet, është Kurti të gjithë të tjerët janë staf i tij”, deklaroi ai.