Haradinaj: Mirë se kthehesh në familje, Nasim!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë Nasim Haradinajt, pas lirimit nga Gjykata Speciale në Hagë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Nasim Haradinajt, pas lirimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Mirë se kthehesh në familje, Nasim!”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj, është liruar me vendim të Gjykatës Speciale.

Nasim Haradinaj bashkë me Hysni Gucatin u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së, Gucati dhe Haradinaj, më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se në mes të datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë Raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:

  • Garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;
  • Të informojë administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga kryetarja;
  • Të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga administratorja;
  • Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;
  • Të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga kryetarja;
  • Të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS.
  • Të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në.
  • Të kërkojë leje dhe miratim nga administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);
  • Të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;
  • Të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, konstatoi se “Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit”.

“Në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit”, thuhet në njoftim.

Trendafilova, po ashtu, “mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, vijon njoftimi.

Nëse “Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thekson njoftimi.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika