Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar policin që u plagos gjatë mbrëmjes të së enjtes në veri të Kosovës.

Haradinaj tha se është falënderues ndaj të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Falënderues ndaj gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shërbimin ndaj Atdheut, në këtë situatë të brishtë në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj policit të plagosur i uroi shërim të shpjete, dhe falënderoi ekipin e QKUK-së që po kujdesen për të.

“Policit të plagosur, Ekrem Neziri, i urova shërim të shpejtë. Falënderoj të gjithë ekipin mjekësor në QKUK për kujdesin ndaj tij”, ka shtuar Haradinaj.

Ai më të tjerash tha se “Kushdo që përballet me Policinë e Kosovës, të japë llogari para Drejtësisë”.

Policia e Kosovës, të enjten në mbrëmje në veri, është sulmuar nga një grup kriminal i armatosur me armë të gjata, me ç’rast një polic ka mbetur i plagosur.

Polici, i cili ishte plagosur në kraharor, sipas QKUK-së, është pranuar për trajnim të mëtejmë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se sot rreth orës 8:30, një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i lënduar mbrëmë, është pranuar në Qendrën Emergjente, pasi kishte marrë trajtimin e nevojshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Ekipi i Klinikës Emergjente bashkë me mjekët konsultantë nga klinikat përkatëse, kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe rasti, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë. Pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Torakale”, thuhet në njoftimin e tyre.