Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar para mediave se partia e tij nuk do ta mbështesë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka theksuar se është e nevojshme një figurë tjetër unifikuese për të zgjidhur ngërçin politik.

“Nëse kemi një kandidat të ri unifikues, me siguri do ta kryejmë detyrën tonë. Jemi në një situatë shumë të keqe. Është urgjente, ne do ta shqyrtojmë këtë situatë që të vendosim për veprime të mëtejshme. Mund të ketë edhe një adresim në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët, por edhe rrugë të tjera do t’i shqyrtojmë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ishte diskutuar edhe emri i Glauk Konjufcës si kandidat i mundshëm dhe AAK kishte shqyrtuar mundësinë për t’i dhënë votën.

“U fol për zotin Konjufca që ai të jetë prapë, dhe ne ishim në shqyrtim që me i dhënë votë. Nëse nuk ka ndryshim të kandidaturës ne mbajmë qëndrimin e njëjtë”, ka deklaruar Haradinaj para nisjes së seancës konstituiv.