Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se sipas tij, po tenton të krijojë sistem paralel të shtetit.

Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, tha se Kurti nuk i beson sistemit shtetëror dhe se për çështjet që kanë të bëjnë me siguri kombëtare angazhon “jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”.

“Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel. Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, ka thënë Haradinaj.

Ai e akuzoi Kurtin se po e “kap shtetin” me miqtë e tij.

“Këto janë ato lidhjet e shkurtra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pasë ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”, ka thënë Haradinaj.