I parti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për ofertën nga Lëvizja Vetëvendosje për dy partitë më të mëdha opozitare për propozimin e tre emrave për president.
Haradinaj vlerëson se këto nuk janë as oferta kredibile teksa thotë se sipas tij Kurti po i bën këto oferta për të mbuluar faktin që do të qojë vendin në zgjedhje.
“Nuk janë këto oferta as kredibile dhe askush nuk e di që këto që i thotë ai, i zbaton apo i ka vetëm në një mënyrë për me mbulu fajin e tij për faktin që do me çu vendin në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.
Teksa oferta e VV-së vlente vetëm për PDK-në dhe LDK-në, Haradinaj thotë se Aleanca nuk kishte vullnet me u bë pjesë e kësaj ‘loje’.
“Ju thashë që jemi dy ditë para fundit të afatit kushtetues, tani ky një lloj ultimatumi i tij, pjesë e strategjisë së tij mos me zgjedh presidentin, me dërgu vendin në zgjedhje. Një kryeministër që është zyrtar partie e shumicës serioze, këtë ide do ta kishte dhënë në ditën e parë. Nuk kishte me shku duke nxjerrë xhevahirë, të sillet kështu nuk është në rregull, e as serioz. Askush nuk e merr seriozisht. Sa i përket neve në Aleancë, ne nuk kemi pasë vullnet me u bë pjesë e kësaj loje, me u tall me qytetarët e vendit, me gjoja negociata, negocime që nuk janë të vërteta, por false dhe mashtrim. Edhe e kam ditë herët cila është kjo lojë dhe e kam paralajmëru që kemi me shku në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.