Haradinaj: Po presim vendimin për vlerësim të kushtetutshmërisë së veprimeve në Kuvend
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke pritur që këto ditë të Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin për kushtetutshmërinë e zhvillimeve gjatë seancave në Kuvend. “Aktualisht ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca”, ka theksuar Haradinaj, […]
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke pritur që këto ditë të Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin për kushtetutshmërinë e zhvillimeve gjatë seancave në Kuvend.
“Aktualisht ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca”, ka theksuar Haradinaj, para fillimit të vazhdimit të 15-të seancës konstitutive.
Për takimin e thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, ai ka thënë se do të marrin pjesë dhe se nëse kanë ndonjë sugjerim do ta japin.
Ndryshe, sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit janë mbledhur për vazhdimin e 15-të me radhë të seancës konstituive. Ndërkohë që asnjë nga partitë parlamentare nuk ka treguar për ndryshim qëndrimesh.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.
Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.
Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.
Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.















