Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në konsulta me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për formimin e një qeverie, por ka theksuar se nuk është i hapur për të diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).

Haradinaj pranoi se ftesa e LDK-së për takime konsultative për një qeveri të mundshme është një mundësi pozitive, megjithatë qëndron i vendosur në mbështetje të idesë për krijimin e një qeverie nga opozita. Ai shtoi se është i hapur për konsultime bilaterale me LDK-në dhe trilaterale me PDK-në, por nuk e sheh si të mundur që të ulet në një tavolinë me VV-në.

“Ftesa për konsultë nuk ka diçka të keqe. Unë jam i hapur për diskutime me LDK-në dhe PDK-në. Angazhimi im mbetet për një qeveri opozitare, dhe kjo është ajo që po mbështes,” tha Haradinaj.

Në përgjigje të pyetjes nëse do të marrë pjesë në një takim ku do të përfshihej edhe VV, Haradinaj tha shkurt: “Jo”.