Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin e tij për qasjen e qeverisë aktuale të Kosovës. Ai ka bërë këto komente gjatë takimeve me qytetarë në disa qytete të Kosovës.

Haradinaj citohet të ketë thënë se “Gjatë bashkëbisedimit ndamë shqetësimet tona për situatën e krijuar në vend dhe kahjen e rrezikshme që po i jep kjo qeverisje, duke na larguar nga aleatët tanë të sigurisë e duke rrëshqitur nga synimi ynë jetik, anëtarësimi në NATO”.

Ish-kryeministri ka theksuar se partia e tij po shihet si alternativë për një Kosovë anëtare e NATO-s.

“Qytetarët dita-ditës po e shohin Aleancën dhe grupin opozitar rreth saj si alternativë për një Kosovë stabile, të zhvilluar e pjesë të NATO-s,” tha ai.

Haradinaj ka vizituar disa qytete, duke përfshirë Shtimen, Mollopolcin dhe Reçakun, ku ka takuar bashkëluftëtarë, miq dhe familjen Bilalli.