Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të enjten ka takuar ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Haradinaj ka theksuar se gjatë takimit me ambasadorin francez ka ndarë të njëjtin shqetësim për gjendjen e krijuar në veri të vendit.

“Në një takim të zhvilluar në zyrën time me ambasadorin e Francës në Republikën e Kosovës, z. Olivier Guerot, e ndamë shqetësimin e përbashkët për gjendjen e krijuar në veri të vendit”, ka njoftuar Haradinaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, kreu i AAK-së, ka thënë se me ambasadorin Guerot ka biseduar edhe për nevojën e deeskalimit të situatës dhe zbatimin sa më parë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Franca gjithnjë ka pasur një rol të rëndësishem në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, sikundër që e ka edhe në situatën aktuale”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë ditës së mërkurë, tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë brenda territorit të vendit.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.

Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.

Autoritetet në Serbi ende nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka deklaruar se BE është në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht në lidhje me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.

Më tej, Stano u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të ngritin tensione, teksa kanë përsëritur thirrjen për depërshkallëzim të situatës në veri

Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që policët të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

Ajo ka theksuar se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

Dhe sipas saj, ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.