Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka zhvilluar një takim me Alexander Kasanof, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në këtë takim, Haradinaj theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së dhe kërkoi mbështetje për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim të hapur, përmbajtësor dhe miqësor, diskutuam zhvillimet politike në Kosovë me z. Alexander Kasanof, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.

Falenderova z. Kasanof, administratën amerikane dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës.

Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj theksoi se çdo sukses i Kosovës, që nga lufta çlirimtare deri në shtetndërtim, është arritur falë partneritetit me SHBA-në. Ai e përshkroi anëtarësimin në NATO si një fitore të përbashkët mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë proces si një synim strategjik për të dy vendet.

“Vlerësova se lidershipi dhe angazhimi amerikan janë të domosdoshme për një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA dhe për përparimin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.

Arritjet e Kosovës, që nga vitet ’90, përfshirë luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit, janë bërë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, ka shkruar më tej në Facebook.