Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me pranimin e propozimit evropian ec përpara në planin e sigurisë.

Më tej, Haradinaj ka thënë se marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vetëm një vendi nuk i gëzohet, dhe sipas tij është Rusia.

“Rusia nuk e ka asnjë interes që të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, por përkundër kësaj, ata kanë dëshirë që kjo çështje të jetë e hapur edhe potencial çdoherë, qoftë për çrregullim dhe destabilizim, apo për një debat të vazhdueshëm politik në të ardhmen rreth Kosovës”.

Më tej, ai ka thënë se Kosova mund ta ndihmojë Aleancën kundër Rusisë duke e përmbyllur marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më datën 27 shkurt në Bruksel.

“Si mundet të veprojë Kosova? Po mundet të hënën, ta mbyllë marrëveshjen. Po pra, ta mbyllë marrëveshjen, jo vetëm të japë sinjale pozitive”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka treguar se çfarë mund të shtojë Kosova në këtë marrëveshje përveç aspektit të sigurisë.

“Kosova mundet menjëherë t’ia shtojë kësaj marrëveshjeje dhe një komponent, ajo është financiare dhe ekonomike”, ka deklaruar ai.

Sipas Haradinajt, rrjedhjet e buxhetit të Kosovës për veriun janë duke u rritur për çdo ditë, përveç pagës së energjisë, institucionet e Kosovës nuk mbledhin tatim në veri.