Haradinaj: Vendimi i vonuar i Gjykatës Kushtetuese vetëm sa e ka thelluar krizën kushtetuese
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një konfirmim të vonuar të krizës serioze kushtetuese dhe institucionale në vend. Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se AAK kishte paralajmëruar më herët për gjendjen alarmante në kërkesën e […]
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një konfirmim të vonuar të krizës serioze kushtetuese dhe institucionale në vend.
Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se AAK kishte paralajmëruar më herët për gjendjen alarmante në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës, por kjo e fundit nuk kishte ndërmarrë masa të përkohshme, pavarësisht rrethanave të ngjashme me ato që tani i ka pranuar vetë.
“Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani”, ka shkruar Haradinaj.
Ai shtoi se në vendimin e fundit, Gjykata e Kushtetuese ka pranuar se situata përbën një rrezik real për rendin kushtetues, por veprimi i vonuar ka sjellë pasoja të panevojshme.
Sipas tij, kjo vonesë e pajustifikueshme ka shtuar paqartësinë dhe ka përkeqësuar krizën kushtetuese.
“Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi”, theksoi lideri i AAK-së.
Reagimi i Haradinajt vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ndodhet në një bllokadë të thellë për shkak të dështimit për t’u konstituar, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për të pezulluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik e tutje.















