Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është duke u intensifikuar edhe më tej. Pas debatit të fundit mes kanidatëve Kamala Harris e Donald Trump, është ashpërsuar retorika mes tyre, të dy duke pretenduar se dolën “fitues” gjatë përballjes me njëri – tjetrin.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili po e përcjell nga afër këtë fushatë në ShBA, tha se Trump ka refuzuar të marrë pjesë edhe në një ballafaqim tjetër, me arsyetimin se udhëheqësit e debatit nuk kishin qasje neutrale.
“Ish-presidenti Trump, ka thënë se nuk sheh arsye për debat të ri me Harris sepse pretendon se e ka fituar bindshëm debatin. Ai i ka akuzuar udhëheqësit e debatit gazetarët e ABC, që kanë qenë të njënashëm duke e sulmuar vetëm atë e duke e mbrojtuar Harris”, tha Xhemajl Rexha në “Five” të TV Dukagjinit.
Rexha bëri të ditur se pothuajse në të gjitha sondazhet prin kandidatja demokrate Kamala Harris.
“Vazhdon të jetë garë e ngusht, ka kompani që bëjnë sondazhe, në shumicën e tyre Harris është në epërsi. Aktualisht është 47 me 44 për qind në favor të Harris. Të gjitha sondazhet tregojnë që Harris e ka fituar debatin me Trump, ka njerëz brenda partisë republikane që kanë thënë se Trump nuk ishte në performancën më të mirë. Harris është në epërsi në sondazhe”, tha ai.