Avokati Nasuf Hasani i cili është edhe kryetar i Degës Regjionale në Prishtinë të Odës së Avokatëve të Kosovës, i frymëzuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili shpalli kushtetuese disa nene të plotësim-ndryshimit të Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka thënë se tani është hapur diskutimi për nevojën e një reforme të thellë edhe në Ligjin për Avokatinë.

Sipas qëndrimeve të shprehura nga njohës të sistemit të drejtësisë, përfundimi i “korporatizmit” në Këshillin Prokurorial duhet të pasohet ka thënë Hasani nga një rregullim i ngjashëm edhe në menaxhimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).

Tutje ai ka thënë se reformimi i Ligjit për Avokatinë duhet të synojë garantimin e një qeverisjeje më transparente dhe efikase të OAK-së, pa cenuar aspak të drejtën e avokatëve për të ushtruar profesionin e tyre.

Megjithëse jemi në prag të muajit maj 2025, ende nuk është miratuar buxheti i OAK-së ka thënë Hasani duke shtuar tutje se as nuk ka nisur përgatitja e tij nga Këshilli Drejtues. Kjo vonesë ka ngjallur shqetësim të madh mes komunitetit të avokatëve. Kritika të ashpra janë adresuar ndaj kryetarit aktual të OAK-së, për mënyrën autokratike të udhëheqjes së institucionit.

“Besoni ose jo, shpesh e pyes veten: a mos e ka sjellë Kryetari i OAK-së këtë institucion nga katundi i vet? Oda sot po menaxhohet në mënyrën më Autokratike të mundshme,” ka thënë Hasani.

Një tjetër aspekt shqetësues sipas tij është edhe heshtja e përgjithshme që mbizotëron mes avokatëve. Edhe pse shumë prej tyre paraqiten rregullisht në studio televizive për të komentuar zhvillime të ndryshme politike e juridike, askush nuk flet hapur për problemet e brendshme dhe mungesën e zbatimit të normativave brenda vetë Odës së Avokatëve.

Avokati Hasani ka thënë se mbetet shqetësuese apatia e thellë që ka kapluar avokatët ndaj mënyrës se si po menaxhohet OAK-ja.

”Pra, e kam një piképyetje të madhe, përderi sa tek avokatët ekziston kjo APATI e thellë karshi menaxhimit të Odës së Avokatëve, pse duhet të ftohen avokatët në televizione të flasin për çështje tjera!”, ka thënë Hasani në një postim në Facebook.